Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe ndaj Igor Dimoviq, për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin Ibër–Lepenc në Varagë të Zubin-Potokut. Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, gjatë hetimeve ka zbuluar edhe një veprimtari të gjerë spiunazhi.
Sipas aktakuzës, Jovan Viqentijeviq ka vepruar si i rekrutuar i Shërbimit Ushtarak të Serbisë, me gradë kolonel, duke mbledhur dokumente të klasifikuara dhe informacione të ndjeshme për t’ia transmetuar zyrtarëve serbë. Ai akuzohet se ka siguruar një dokument konfidencial prej 66 faqesh të KFOR-it, ka vëzhguar lëvizjet e trupave amerikane dhe ka fotografuar bazën e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Jasenovik.
Gjithashtu, Viqentijeviq dyshohet se ka tentuar të krijojë një narrativë të rreme kundër Kosovës, duke përdorur një dokument të modifikuar për të paraqitur një organizatë fiktive të quajtur “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare”.
Prokuroria vlerëson se këto veprime kanë cenuar rëndë rendin juridik, sigurinë e Republikës së Kosovës dhe kanë rrezikuar jetën e qytetarëve, zyrtarëve dhe trupave të KFOR-it.




