Ambasadori Christopher Hill, një nga figurat më të njohura të diplomacisë amerikane në Ballkan dhe negociator kyç i çështjes së Kosovës, gjatë një interviste në Euronews Albania, foli dhe për vendimin e tij për të dëshmuar në Hagë në procesin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Hill ndau refleksione personale dhe u shpreh mbi arsyet që e shtynë të merrte pjesë në këtë gjyq, duke theksuar rolin e përgjegjësisë morale dhe faktit që nuk kishte prova për përfshirjen e Thaçit në krime lufte.
Ai tha se vendimi për të dëshmuar nuk ishte nën presion politik apo profesional, por një përgjegjësi morale ndërsa theksoi se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë dhe vizitave në fshatra ku ndodhën krime lufte, nuk pa asnjë provë që Thaçi të kishte urdhëruar apo kryer krime.
Ambasadori shprehu gjithashtu rëndësinë e sqarimit të rolit të UÇK-së, duke theksuar se nuk ishte një njësi plotësisht e komanduar nga Thaçi, por me aktorë të pavarur.




