Kosova përfshihet në qëndrime të rëndësishme në draft-ligjin e autorizimeve të mbrojtjes kombëtare të Shteteve të Bashkuara për vitin e ardhshëm, që pritet të finalizohet në kongres.
Në politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor, Kosova do të ketë mbështetje drejt integrimeve në NATO dhe në BE, përkrahje në dialogun me Serbinë, të bazuar në njohje reciproke, si dhe kundërshtohet çdo ide për ndarje apo shkëmbim territoresh mbi baza etnike.
Ky draft është pjesë e strategjisë së SHBA-së për ta forcuar stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin demokratik në rajon.
Në draftin e ligjit të autorizimeve të mbrojtjes kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për vitin 2026, i cili po finalizohet në Kongres, janë përfshirë qëndrime të rëndësishme për Kosovën dhe rajonin.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe aktivist për të drejtat e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, Faton Bislimi, ka bërë të ditur se qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor janë kodifikuar në Ligjin për Autorizimet e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026.
Bislimi ka nënvizuar se Ligji për Autorizimet e Mbrojtjes Kombëtare, i cili konsiderohet një nga ligjet më të rëndësishme amerikane, tashmë ka marrë miratimin e Senatit dhe ndodhet në fazën përfundimtare për aprovim në Kongres.
Pas miratimit edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve, ligji pritet t’i dërgohet presidentit amerikan për dekretim.




