Prej 9 ditësh, qytetarët në Prishtinë nuk kanë pasur mundësi t’i shfrytëzojnë autobusët e Trafikut Urban për shkak të grevës. Kjo ka prekur edhe udhëtarët që paraprakisht kanë paguar bileta mujore. Megjithatë, ndërmarrja ka njoftuar se qytetarëve do t`u kompensohen të gjitha ditët e humbura.
Zyrtarë të Trafikut Urban kanë bërë të ditur se për të gjitha biletat mujore të paguara, do të kompensohen ditët kur shfrytëzuesit nuk kanë mundur ta përdorin shërbimin e transportit.
Vlefshmëria e biletës mujore do të zgjatet automatikisht pas procesit të vulosjes. Sipas tyre, për të realizuar zgjatjen e vlefshmërisë së biletës, qytetarët thonë se duhet t’i ndjekin disa hapa.




