Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me disa organizata ndërkombëtare dhe mbështetje nga institucione të ndryshme, shpalli fituesit e Çmimeve Vjetore të Gazetarisë 2025. Këto çmime janë ndarë për të nderuar gazetarët dhe stafin mediatik për kontributin e tyre në fushën e gazetarisë investigative, edukative dhe shoqërore, duke nxjerrë në pah punën e shkëlqyer dhe ndikimin e saj në shoqëri.
Gazetari i Vitit 2025
Agon Sinanaj, nga Buletini Ekonomik, u shpall Gazetar i Vitit 2025 për hulumtimin e tij mbi importin e energjisë elektrike në Kosovë, që zbuloj abuzimet e KESCO-s dhe ZRRE-së, manipulimet e çmimeve dhe tregtimin e energjisë në të zezë. Hulumtimi i tij pati ndikim të madh dhe nxiti hetime nga Prokuroria Speciale dhe ZRRE. Çmimi iu dorëzua nga Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.
TV Storja më e mirë
Vlerë Mehmeti, nga KTV, fitoi çmimin për TV Storjen më të Mirë për investigimin mbi dështimin e shpërndarjes së pajisjeve për personat me aftësi të kufizuara, të cilat kishin blerë por nuk arritën të shpërndaheshin. Çmimi iu dorëzua nga Nathalie Niedoba, Zëvendësshefe e Misionit të Ambasadës së Kanadasë.
Ueb Storja më e mirë
Besarta Hoti, nga Nacionale.com, fitoi çmimin për Ueb Storjen më të Mirë për trajtimin e keqpërdorimeve të fondeve nga çerdhja “Botanika”, një hulumtim që nxori në pah manipulimet me pagesat e prindërve. Çmimi u dorëzua nga Ardian Latifaj, Menaxher i Projektit në UNDP në Kosovë.
Kameramani i Vitit
Çmimi për Kameramanin e Vitit u nda për Dituron Aliu, Altin Zejnaj dhe Korab Basha, të cilët u vlerësuan për dokumentimin e situatave dhe rasteve të rrezikshme, përfshirë korrupsionin dhe ngjarje të ndjeshme sociale dhe politike. Çmimi iu dorëzua nga Evliana Berani, anëtare e jurisë.
Raportimi për Fuqizimin e Grave
Adelina Ahmeti, nga Kallxo.com, fitoi çmimin për Raportimin për Fuqizimin e Grave me një storje që hulumtoi dështimet institucionale dhe paragjykimet ndaj viktimave të dhunës në familje. Çmimi u dorëzua nga Vlora Tuzi Nushi, Shefe e UN Women Kosovë.
Raportimi më i mirë rreth Antigjipsizmit
Besian Beha, nga Nacionale.com, fitoi çmimin për Raportimin më të Mirë rreth Antigjipsizmit për trajtimin e diskriminimit racor ndaj një futbollisti 15-vjeçar, duke nxitur reagime të autoriteteve dhe publikut. Çmimi u dorëzua nga Alketa Bala, Zyrtare për Marrëdhënie me Publikun në VoRAE.
Raportimi i Sensibilizuar ndaj Konfliktit dhe Ballafaqimi me të Kaluarën
Çmimi për këtë kategori u nda mes Blendina Veliqi, nga Betimi për Drejtësi, dhe Sandra Cvetkoviq & Arben Hoti, nga Radio Evropa e Lirë, për trajtimin e historive të luftës dhe pasojave të saj në jetën e viktimave të luftës dhe tensioneve në veri të Kosovës. Çmimi iu dorëzua nga Nehari Sharri, Drejtor i Pro Peace në Kosovë.
Raportimi mbi Punëtorët Migrantë
Afërdita Lukaj, nga Kanal10, fitoi çmimin për Raportimin mbi Punëtorët Migrantë për trajtimin e shfrytëzimit të punëtorëve migrantë dhe kushtet e rënda të punës në sektorët e ndryshëm. Çmimi iu dorëzua nga David Oberhuber, Drejtor i GIZ Kosovë.
Raportimi mbi të Drejtat e Punëtorëve
Egzon Dahsyla, nga Kallxo.com, fitoi çmimin për Raportimin mbi të Drejtat e Punëtorëve për trajtimin e kushteve të rrezikshme në ndërtim dhe vdekjen e punëtorëve në vendin e punës. Çmimi iu dorëzua nga H.E. Jonas Westerlund, Ambasador i Suedisë në Kosovë.
Raportimi mbi Shëndetin Mendor
Dafina Halili, nga Kosovo 2.0, fitoi çmimin për Raportimin mbi Shëndetin Mendor për trajtimin e shëndetit mendor të personave queer dhe ndikimin e stigmatizimit dhe mungesës së mbështetjes profesionale. Çmimi iu dorëzua nga H.E. Jonas Westerlund, Ambasador i Suedisë në Kosovë.
Raportimi për Ndërtimin e Paqes dhe Besimit
Doruntina Bylykbashi, nga TV Dukagjini, fitoi çmimin për Raportimin për Ndërtimin e Paqes dhe Besimit për trajtimin e ndikimit të KFOR-it dhe marrëdhënieve ndërkombëtare mbi komunitetet lokale. Çmimi iu dorëzua nga Visare Mujko Nimani, Shefe e UNFPA në Kosovë.
Raportimi mbi Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm
Uran Haxha, nga Kosovo 2.0, fitoi çmimin për Raportimin mbi Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm për analizën e sfidave të Kosovës në zbatimin e zotimeve për dekarbonizim dhe ndikimin e industrisë energjetike në mjedis. Çmimi iu dorëzua nga Rainer Rudolph, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë.
Çmimet e Gazetarisë 2025 janë një vlerësim i përpjekjeve të jashtëzakonshme të gazetarëve kosovarë dhe një inkurajim për vazhdimin e punës në interes të publikut dhe për përmirësimin e transparencës dhe përgjegjësisë në shoqëri.




