Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë pritur nxënës në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar rolin e të rinjve në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.
Haxhiu theksoi se dhuna ndaj vajzave dhe grave është një fenomen i përhapur, duke shtuar se 90% e rasteve të dhunës janë ndaj grave.
Ajo i shpjegoi nxënësve shenjat e dhunës dhe theksoi se ajo mund të fillojë nga fjalët, talljet, dhe kontrolli, për të arritur më pas në veprime fizike.
Haxhiu u bëri thirrje të rinjve të angazhohen për ndryshimin e këtij realiteti dhe të krijojnë një kulturë ku dhuna nuk është e pranueshme.
Në këtë kontekst, Nagavci inkurajoi nxënësit të shprehin shqetësimet për shokët e shoqet e tyre që mund të përjetojnë dhunë dhe t’i drejtohen personave të besuar, si mësues, psikologë apo këshilltarë.
Të dyja drejtueset theksuan rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në luftën kundër dhunës dhe krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe me dinjitet për të gjithë.




