Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se Isni Kilaj është liruar me kusht, ndonëse mbetet i akuzuar në procesin gjyqësor në vazhdim.
Gjykatësi vendosi se rrethanat kishin ndryshuar nga tetori 2025 dhe se paraburgimi i tij nuk ishte më i arsyeshëm apo proporcional.
Edhe pse u konstatua një rrezik i caktuar që Kilaj të ndikojë në proces ose të kryejë vepra të tjera, u vlerësua se e drejta e tij për liri prevalon ndaj këtyre rreziqeve. Në vendim u theksua se koha e kaluar në paraburgim tashmë tejkalon dënimin minimal të mundshëm dhe se nuk ka prova që ai ka tentuar të pengojë drejtësinë gjatë lirimit të mëparshëm me kusht në vitin 2024.
Gjithashtu, rreziku i ndikimit tek dëshmitarët u vlerësua shumë i ulët, ndërsa rreziku i arratisjes praktikisht i papërfillshëm. Kilajt i janë vendosur disa kushte të rrepta, dhe çdo shkelje do të çojë në lëshimin e një urdhërarresti të menjëhershëm.




