Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj lajmeve të përhapura në rrjete sociale dhe portale që lidhen me pagën e 13-të, duke i cilësuar si dezinformata që synojnë krijimin e pakënaqësisë tek qytetarët.
Ai theksoi se paga e 13-të është paraparë në Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, por ky ligj nuk mori votat e partive opozitare PDK, LDK dhe AAK–Nisma.
Murati akuzoi opozitën për shpërndarje të vazhdueshme të rrenave, duke theksuar se Qeveria ka vepruar gjithmonë në mënyrë transparente dhe çdo vendim është bërë publik.
Ai apeloi që qytetarët të verifikojnë çdo njoftim për Qeverinë përmes kanaleve zyrtare.





