Në përvjetorin e 50-të të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka theksuar rëndësinë historike dhe intelektuale të këtij institucioni.
Ai foli për rrugëtimin gjysmëshekullor të Akademisë, duke e cilësuar atë si një simbol të dijes, sakrificës dhe përkushtimit qytetar dhe kombëtar, duke vënë në pah rolin e saj në ruajtjen e gjuhës, historisë dhe identitetit shqiptar gjatë periudhave të vështira.
Begaj tha se Akademia e Kosovës ka luajtur një rol atdhetar dhe patriotik, duke mbrojtur kulturën dhe shkencën shqiptare në kohët më të errëta të represionit dhe kufizimeve nga regjimi serb.
Ai gjithashtu nënvizoi se, pas shumë mundimesh dhe sakrificash, shqiptarët sot gëzojnë një moment të paprecedentë, duke pasur dy shtete shqiptare dhe dy akademi shkencore që shërbejnë një kombi.
Begaj përmendi rëndësinë e dijes për zhvillimin e shoqërisë dhe ngritjen e kombit, duke theksuar se e ardhmja kërkon shndërrimin e dijes në forcë zhvillimi.




