Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shprehur shqetësim për diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai ka theksuar se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë vazhdojnë të përballen me probleme të vazhdueshme, si mohimi i përfaqësimit të drejtë në institucione, pasivizimi administrativ, mungesa e investimeve, mosnjohja e diplomave, dhe politikat e centralizuara që i dëmtojnë të drejtat civile, kombëtare dhe socio-ekonomike.
Kamberi ka bërë thirrje për një angazhim të ri dhe për zbatimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke u kërkuar autoriteteve të reflektojnë mbi këtë situatë.
Ai theksoi se kjo ditë është një rikujtim i betimit të shqiptarëve të Luginës për të mos hequr dorë nga kërkimi i të drejtave dhe barazisë, përmes mjeteve demokratike dhe njëzëri.




