Ish-kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke kërkuar që partia të mos votohet në zgjedhjet e ardhshme dhe të kalojë në opozitë. Në një deklaratë të publikuar, Arifi tha se Vetëvendosja është “mbivlerësuar dhe përkrahur më shumë sesa duhet” gjatë viteve, ndërsa tani, sipas tij, vendit i duhet një ndryshim politik për të dalë nga bllokada aktuale.
Arifi u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë “për të mirën e Kosovës” dhe jo për VV-në, duke theksuar se vendi ka nevojë për reflektim dhe qasje më të arsyeshme ndaj sfidave politike.
“S’ka votë për VV-në! E keni mbivlerësuar ndër vite dhe e keni përkrahur më shumë se duhet. Kësaj radhe lëreni në opozitë, ndoshta reflektojnë pak. Kosova nuk mund të ngecë pafundësisht në të njëjtën bllokadë”, shkroi Arifi.
Ai shtoi se kokëfortësia politike nuk e nxjerr vendin nga kriza dhe se qytetarët duhet të veprojnë pa inate:
“Është koha të shihet situata drejt. Muri nuk goditet me kokë – sepse vetëm dëmtohesh vet. Votoni për të mirën e Kosovës, e assesi për VV-në, që vendi të dalë nga kriza.”
Reagimi i Arifit vjen në një periudhë tensionesh të larta politike dhe diskutimesh intensive rreth vendimeve të fundit të institucioneve zgjedhore dhe raporteve me komunitetin ndërkombëtar.




