Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur të vazhdojnë për dy muaj të tjerë paraburgimin e ish-presidentit Hashim Thaçi, i akuzuar së bashku me Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Vendimi, i marrë më 10 dhjetor 2025 nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, u arsyetua me rrezikun se Thaçi mund të pengojë procedurat gjyqësore ose të kryejë vepra të tjera të ngjashme.
Ndërkohë, mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit ka përfunduar paraqitjen e provave, proces i cili nisi më 15 shtator 2025 dhe përfshiu dëshmi nga ish-zyrtarë dhe diplomatë ndërkombëtarë si James Rubin, Paul Williams, Wesley Clark, James Peter Covey, Christopher Hill dhe të tjerë.
Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, gjatë kësaj periudhe janë organizuar edhe katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.




