Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seanca fillestare ndaj vëllezërve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc më 24 dhjetor në orën 09:30.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, të pandehurit akuzohen për veprat penale të rrezikimit të rendit kushtetues, kryerjes së veprës terroriste, armëmbajtje pa leje dhe spiunazh. Vëllezërit Viqentijeviq dyshohet se kanë vendosur 20 kg TNT në brendësi të kanalit, duke shkaktuar dëme prej afërsisht 400 mijë eurosh, ndërprerje të furnizimit me ujë dhe rrezik për prodhimin e energjisë elektrike.
Gjykimi vjen pas hetimeve intensive, ku Kosova ka bashkëpunuar me partnerë evropianë dhe amerikanë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se provat tregojnë lidhje të të akuzuarve me strukturat shtetërore të Serbisë dhe terroristin Millan Radoiçiq.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë disa qytete të Kosovës dhe Korporatën Energjetike të Kosovës, duke e bërë këtë rast të ndjeshëm për sigurinë publike dhe infrastrukturën kritike të vendit.




