Kreu i AAK-së dhe kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se pavarësisht sfidave dhe sulmeve politike, ai asnjëherë nuk e ka humbur besimin, duke kujtuar periudhat e vështira të luftës dhe mbështetjen që kanë pasur nga bashkëluftëtarët, familjet dhe populli.
“Nuk jam dorëzuar edhe në ditët më të rënda me bashkëluftëtarët. Na kanë dhënë zemër, forcë e besim familjet e tyre dhe populli që ishte me ne në frontet e luftës”, u shpreh Haradinaj.
Ai theksoi se edhe në periudhën e pasluftës, gjatë ndërtimit të institucioneve të Kosovës, mbështetja ndërkombëtare ka qenë e pazëvendësueshme. Sipas tij, angazhimi i AAK-së mbetet i sinqertë dhe i pandalshëm, pavarësisht, siç i quajti ai, propagandave dhe ofendimeve të kundërshtarëve politikë.
“Ne luftuam për lirinë e fjalës, që operon në kritikë, këshillë e protestë. Mirëpo e keqpërdorën deri në ekstrem rrugëtimin për një pushtet që po i dalldisë deri në çmenduri”, tha Haradinaj, duke premtuar përmbysje të këtij modeli qeverisës.
Ai theksoi se ndryshimi do të vijë përmes votës së popullit dhe rikthimit të besimit në zhvillim:
“Do ta rrënojmë këtë shembull të keq me rrugën e demokracisë. Do të bëhemi krah njëri-tjetrit, do t’ia kthejmë Kosovës miqtë dhe shpresën për zhvillim.”
Deklarata e Haradinajt vjen në kuadër të intensifikimit të fushatës zgjedhore.




