Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se për të votuar në zgjedhjet e ardhshme qytetarët duhet të posedojnë letërnjoftim, pasaportë ose patentë shofer, duke theksuar se mjafton njëri prej këtyre dokumenteve për t’u identifikuar në qendrën e votimit.
Megjithatë, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar që KQZ-ja të sqarojë nëse dokumentet e skaduara do të pranohen apo jo në procesin e votimit. Ai tha se në zgjedhjet e kaluara ka pasur instruksione të paqarta dhe kontradiktore, ku në disa raste dokumentet e skaduara janë lejuar, ndërsa në raste të tjera jo.
“KQZ-ja është mirë të tregojë qartazi se a do të lejohen të votojnë ata votues me dokumente me afat të skaduar. Sepse, në secilin proces zgjedhor ka instruksione të dyfishta – diku duke lejuar, e diku duke pamundësuar votimin me këso dokumente”, u shpreh Cakolli.
Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë që KQZ të sqarojë këtë çështje sa më shpejt, për të shmangur keqkuptimet dhe problemet gjatë ditës së votimit.




