Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është distancuar nga deklarimet e anëtarit të LVV-së, Sami Kurteshi, i cili së fundmi kishte përdorur gjuhë të ashpër ndaj mediave. Në një intervistë për Kanal 10, Kurti tha se nuk pajtohet me qasje të tilla dhe se çdo individ mban përgjegjësi për fjalët e veta.
“Unë jam kundër çfarëdo përgjithësimi dhe nuk e mbështes një gjuhë të tillë. Por, ta keni parasysh që njerëz të ndryshëm kanë reagime të ndryshme dhe mbajnë përgjegjësi për veten”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje është subjekt politik demokratik, ku zbatohen procedurat statutare dhe jo vendime individuale të kryetarit ndaj anëtarëve.
“Nuk i merr ato masa kryetari. Ekziston statuti, edhe ai disiplinori ku adresohen këto çështje. Nuk mund të marrë kryetari masa ndaj një anëtari”, theksoi Kurti.
Deklarimi i tij vjen pas debatit të krijuar në opinionin publik lidhur me gjuhën e përdorur nga Kurteshi në raport me mediat.




