Kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me ministrat në detyrë Arbërie Nagavci dhe Elbert Krasniqi, kanë pritur në Qeveri studentët përfitues të skemave të bursave për studime brenda dhe jashtë vendit në nivelet Bachelor, Master dhe Doktoratë, përfshirë edhe bursat për komunitetet.
Kryeministri Kurti uroi studentët për arritjet dhe theksoi se mbështetja e të rinjve që studiojnë në institucione prestigjioze ndërkombëtare mbetet një prioritet i Qeverisë. Ai vuri në dukje se investimi në arsim cilësor është themelor për zhvillimin e vendit.
Ministrja Nagavci vlerësoi përkushtimin e studentëve dhe nënvizoi se skemat e bursave të MAShTI-t janë zgjeruar ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit, duke përfaqësuar një investim të rëndësishëm në kapitalin njerëzor të Kosovës.
Studentët u shprehën mirënjohës për mbështetjen e ofruar, duke premtuar se njohuritë e fituara do t’i vënë në shërbim të avancimit të vendit. Qeveria rikonfirmoi përkushtimin për të vazhduar politikat që u mundësojnë të rinjve qasje në arsim cilësor dhe zhvillim profesional brenda dhe jashtë Kosovës.




