Democracy Plus (D+) dhe Westminster Foundation for Democracy (WFD) kanë publikuar raportin “Kostoja e Politikës në Kosovë”, i cili analizon shpenzimet e kandidatëve për deputet gjatë zgjedhjeve nacionale të vitit 2025 dhe ndikimin e tyre në konkurrencën politike, barazinë e mundësive dhe integritetin zgjedhor. Raporti tregon rritje të kostos së fushatave, varësi të theksuar nga financimi personal dhe pabarazi të dukshme mes grave dhe burrave në shpenzime.
Sipas gjetjeve, mesatarja e shpenzimeve për një kandidat është 9,463 euro. Kandidatët fitues shpenzojnë mesatarisht 12,150 euro, ndërsa të pazgjedhurit 4,090 euro. Gratë kanë shpenzuar dukshëm më shumë se burrat: rreth 15 mijë euro kundrejt afro 6 mijë eurove për burrat.
Raporti thekson se rekrutimi i kandidatëve në partitë e mëdha në vitin 2025 është ndikuar më shumë nga popullariteti publik, burimet financiare dhe mbështetja e liderit, sesa nga aktivizmi afatgjatë dhe kriteret formale të integritetit dhe profesionalizmit. Analiza përfshiu tri partitë kryesore: LVV, PDK dhe LDK, duke identifikuar dallime në kriteret e rekrutimit dhe në mënyrën e financimit të fushatave.
Graeme Ramshaë nga WFD tha se fushatat po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta dhe se gratë shpesh marrin hua nga familjarët për të përballuar shpenzimet. Albert Krasniqi nga D+ prezantoi metodologjinë dhe rezultatet, duke theksuar se shpenzimet lidhen drejtpërdrejt me suksesin zgjedhor: kandidatët që shpenzojnë më shumë kanë gjasa më të mëdha të fitojnë.
Në diskutim, Besnik Tahiri nga AAK theksoi se rrjetet sociale kanë rritur dukshëm kostot e fushatave, ndërsa ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Dakaj, ngriti çështjen e mungesës së mbështetjes financiare për gratë, pavarësisht suksesit të tyre në marrjen e votave.
Raporti, sipas organizatorëve, synon të nxisë debat për transparencën, financimin politik dhe krijimin e kushteve më të barabarta për garë politike në Kosovë.




