Komiteti për Hetimin e Aksidenteve Ajrore dhe Incidenteve Serioze (KHAAIS) ka nisur hetime pas rrëzimit të një avioni të vogël sportiv dje në Liqenin e Mavrovës. Kryetari i Komitetit, Marjan Prposki, njoftoi për MIA se ekuipazhi nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Sipas Prposkit, Komiteti ka marrë njoftim për rrëzimin e avionit sportiv të tipit Piper 28 rreth orës 12:30, pas së cilës ekipet kanë dalë menjëherë në terren për të nisur hetimet. “Avioni është në pronësi private dhe ka targa regjistrimi amerikane. Ekuipazhi nuk është në rrezik për jetën,” tha ai, duke paralajmëruar se më shumë informacione do të publikohen në ditët në vijim.
Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë njoftoi se dy persona janë dërguar në spitalin e Gostivarit për shkak të lëndimeve të marra gjatë rrëzimit. Ata janë shtetas të Kosovës: J.P., 41 vjeç, dhe D.M., 64 vjeç, i cili drejtonte avionin.
Në bisedë me zyrtarët policorë, D.M. deklaroi se ishte detyruar të ulej në liqen për shkak të një problemi me motorin. Ekuipazhi po trajtohet në spital, ndërsa hetimet mbi shkaqet e rrëzimit vazhdojnë.




