Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj, sot ka bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Malishevë, duke nderuar sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Haradinaj theksoi se homazhet nuk janë vetëm një akt simbolik, por një moment reflektimi dhe përuljeje ndaj veprës së pavdekshme të dëshmorëve, guximit dhe idealit të tyre për atdheun. “Ata nuk folën shumë, por vepruan. Me jetën e tyre ndërtuan murin që sot na mbron lirinë”, u shpreh ai.

Më pas, Haradinaj vizitoi Kullën e UÇK-së në Malishevë, duke e cilësuar atë si simbol të qëndresës dhe fortesës shpirtërore të popullit shqiptar. Sipas tij, kjo kullë dëshmon se liria nuk u fitua me fjalë, por me sakrificë dhe vendosmëri.
Në përfundim, Haradinaj theksoi se në kohën kur Kosova përballet me sfida të reja, amaneti i dëshmorëve mbetet i qartë: shteti duhet të mbrohet me vendime të drejta, guxim politik dhe përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve.





