Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se Kosova po përballet me një krizë serioze institucionale, pasi 33 institucione, në nivel të Kuvendit dhe Qeverisë, vazhdojnë të kenë borde të paplotësuara.
Sipas hulumtuesit të lartë të IKD-së, Naim Jakaj, kjo situatë është pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, vonesave në konkurse dhe përfundimit të mandateve pa emërime të reja, duke bërë që disa institucione kyçe, si Komisioni i Pavarur për Media, RTK-ja dhe Autoriteti i Konkurrencës, të jenë jofunksionale.
Jakaj paralajmëron se mungesat në borde po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët dhe sektorin publik, duke penguar hetimin e çështjeve të rëndësishme ekonomike dhe administrative, si dhe duke rrezikuar vendimmarrjen në Gjykatën Kushtetuese në rast mungese kuorumi.




