Kriza energjetike në Kosovë pritet të vazhdojë dhe mund të intensifikohet edhe më shumë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Gjatë shtatorit 2025, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 444.92 GWh, ndërsa konsumi arriti 348.667 GWh, 1.47% më shumë se një vit më parë. Importet shënuan 316.8 GWh, ndërsa eksportet 268.22 GWh.
Prodhimi i thëngjillit ra me 14% në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2024, duke shtuar presionin mbi tregun e energjisë.
Eksperti Adhurim Haxhimusa ka paralajmëruar se rritja e madhe e importeve mund të kërkojë korrigjim të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, pasi importet në tremujorin e parë të 2025 arritën rreth 125 milionë euro, trefish më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
ZRRE njoftoi se shqyrtimi i tarifave të reja për 2026 do të nisë në fund të këtij muaji dhe pritet të zgjasë deri në mars.
Haxhimusa ka kërkuar më shumë transparencë mbi origjinën dhe rrugët e importeve, duke theksuar se mungesa e informacioneve rrit pasigurinë në treg.
Çështja e energjisë elektrike mbetet një temë e debatit publik, ndërsa çmimi aktual i rrymës, i shtrenjtuar për herë të fundit me mbi 16% në fillim të vitit, shihet si barrë për qytetarët dhe ka nxitur protesta në vend.




