Drejtori Ekzekutiv i Forumit të Biznesit në Kosovë, Astrit Panxha, vlerëson se qeveria e ardhshme duhet të përqendrohet në katër shtylla kryesore për të stabilizuar ekonominë dhe për të krijuar klimë të favorshme zhvillimi.
Ai thekson se moskonstituimi i institucioneve ka krijuar një vakum të madh ekonomik, duke penguar investimet kapitale, nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe rritjen ekonomike.
Sipas Panxhës, pasiguria ka frenuar investimet e sektorit privat dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese.
Ai rekomandon që qeveria e re të përmbushë obligimet institucionale, të ratifikojë marrëveshjet me BE-në dhe Bankën Botërore, të nisë menjëherë politikat zhvillimore dhe investimet kapitale, si dhe të miratojë bazën ligjore për reformat ekonomike.




