Zgjedhjet e parakohshme nacionale në Kosovë janë caktuar për 28 dhjetor. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se gjatë natës së Vitit të Ri nuk do të ketë numërim të fletëvotimeve, por kutitë e votimit do të ruhen vazhdimisht nga Policia e Kosovës.
Elezi shtoi se fletëvotimet që dërgohen me postë nga vendet e BE-së do të tërhiqen më 2 janar ose në ditët pasuese të punës, duke mos prishur procesin e shpalljes së rezultateve preliminare.
Ai siguroi se çdo qytetar i regjistruar për të votuar me postë nuk mund të votojë më vonë në Kosovë, pasi emri i tij hiqet automatikisht nga lista e votuesve.
Në lidhje me shqetësimet e kaluara për gabime teknike gjatë shtypjes së fletëvotimeve, Elezi tha se KQZ-ja ka vendosur QR kode për gjurmim dhe siguri shtesë.
Numërimi i fletëvotimeve do të bëhet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve, duke mundësuar shpalljen e rezultateve preliminare brenda disa orëve pas mbylljes së votimit.




