Asamblisti i pavarur në Komunën e Prishtinës, Berat Lahu, dikur pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë publike një dokument të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që tregon se kompania Energy Financing Team (EFT), e biznesmenit serb Vuk Hamoviq, është licencuar nga ky institucion.
Lahu ka theksuar se zyrtarët e Qeverisë, Armend Muja dhe Artane Rezvanolli, duhet ta pranojnë këtë fakt, duke shtuar se përpjekjet për të mohuar licencimin nuk kanë kuptim.
“Unë, Berat Lahu, nuk po shpif. Armend Muja dhe Artane Rizvanolli më mirë është ta pranojnë se sa të përpiqen ta fshehin të vërtetën e tmerrshme dhe të pabesueshme të licencimit të EFT. Me 02 Shtator 2021, është licencuar EFT nga ZRRE”, shkruan Lahu në postimin e tij në Facebook.
Vetëvendosje ka mohuar vazhdimisht se EFT ishte licencuar gjatë kohës së qeverisjes së këtij subjekti politik. Megjithatë, dokumenti i publikuar nga Lahu tregon se nënshkrimi nga Ymer Fejzullahu i ZRRE-së është i datës 2 shtator 2021, duke sfiduar pohimet e partisë.
Ky rast ka rikthyer debatet për licencimet e kompanive energjetike dhe transparencën në proceset e dhënies së lejeve nga institucionet publike në Kosovë.




