Me krenari dhe emocion, Kosova është pranuar zyrtarisht si anëtare e 154-të e International Golf Federation (IGF), një moment historik për sportin e golfit në vend.
Ky sukses vjen pas më shumë se një dekade përpjekjesh të pandërprera, duke përfshirë ndërtimin e një strukture kombëtare të golfit dhe përkushtimin e sportistëve, trajnerëve dhe administratorëve të shumtë.
Një rol të veçantë në këtë arritje ka pasur shqiptaro-amerikani Dino Asanaj, themeluesi i golfit në Kosovë, si dhe mërgata shqiptare, e cila ka mbështetur rrugëtimin ndërkombëtar dhe zhvillimin e këtij sporti.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, partnerët ndërkombëtarë dhe kontribuesit vendorë gjithashtu kanë luajtur një rol kyç në këtë sukses.
Anëtarësimi në IGF hap dyert për pjesëmarrjen e Kosovës në garat botërore, përfshirjen në ciklet olimpike, zhvillimin e talenteve të rinj dhe afirmimin e vendit si destinacion serioz sportiv.
Kosova tani jo vetëm luan golf, por përfaqëson këtë sport në arenën ndërkombëtare, duke shënuar fillimin e një kapitulli të ri për sportin në vend.





