Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se me rritjen e pagës minimale në 500 euro, shtesat për nënat lehona do të rriten gjithashtu në 500 euro në muaj.
Sipas Muratit, secila nënë lehonë e papunë do të marrë 3,000 euro për gjashtë muaj, ndërsa shtesat mujore për fëmijë do të jenë 90 euro, që në vit arrijnë 1,080 euro.
Në total, mbështetja për nënat e reja dhe fëmijët e tyre do të kapë mbi 4,000 euro në vit, ndërsa shtesat për fëmijë vazhdojnë deri në moshën 16 vjeç, duke arritur mbi 20,000 euro për secilin fëmijë gjatë gjithë kësaj periudhe.
Murati e ka përshkruar këtë si një përparim të qeverisë aktuale për mbështetjen e familjeve.




