Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është një proces për të cilin institucionet e vendit kanë punuar prej një kohe të gjatë dhe që paraqet jo vetëm interes kombëtar, por edhe një imperativ strategjik për të gjithë kontinentin evropian. Ajo theksoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim vetëm disa vite më parë dhe shprehu shpresën që aplikimi së shpejti të shqyrtohet nga anëtarët e Këshillit të BE-së.
Osmani vlerësoi se Kosova, si shtet dhe si komb, ka kontribuar ndër shekuj në vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian dhe se, nëse procesi do të bazohej strikt në meritë, Kosova do të ishte ndër vendet më të avancuara në rrugën drejt integrimit. Sipas saj, një nga pengesat kryesore mbetet mosnjohja nga pesë shtete anëtare të BE-së, për të cilat ajo tha se duhet të kuptojnë se anëtarësimi i Kosovës është në interes të stabilitetit dhe sigurisë së gjithë Evropës.
Presidentja theksoi gjithashtu progresin e Kosovës në sundimin e ligjit, duke e cilësuar vendin si lider në rajon në këtë fushë, si dhe përparimet në reformat ekonomike dhe administrative, të cilat sipas raporteve të BE-së e pozicionojnë Kosovën më së miri në rajon. Ajo pranoi se ende ka disa reforma për t’u përmbyllur, por theksoi se pa komplikimet politike, Kosova do të ishte në krye të procesit të integrimit evropian. Në fund, Osmani riafirmoi mbështetjen e Kosovës për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.




