Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit të saj në Bruksel është takuar me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, António Costa.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani tha se ka mirëpritur vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e pjesshme të masave ndaj Kosovës, duke theksuar se institucionet e vendit po punojnë dhe shpresojnë që këto masa të hiqen sa më parë në tërësi.
Ajo theksoi se Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim dhe përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke nënvizuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë Bashkimi Evropian, pavarësisht se, sipas saj, ato kanë qenë të padrejta.
Presidentja Osmani shtoi se nuk ka asnjë arsye për vonimin e heqjes së masave të mbetura, ndërsa shprehu shpresën që Kosova, bazuar në merita, të marrë sa më parë përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.





