Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi në rastin “Banjska” ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Në seancën e sotme, e cila filloi me gati një orë vonesë, pritej dëshmia e Dragana Antonijeviq. Megjithatë, ajo mungoi për herë të tretë, duke refuzuar t’i përgjigjej ftesës ligjore. Prokurori special Naim Abazi propozoi që deklarata e saj të lexohet si provë, propozim i cili u aprovua nga trupi gjykues.
Gjithashtu, trupi gjykues vendosi të dëgjohet si dëshmitar Millosh Radosavleviq, ndërsa dëshmitari Goran Tanevski nuk mundi të lidhej përmes video-linkut me Gjykatën e Shkupit dhe mundësia për dëshmi u la e hapur për një seancë të ardhshme.
Seanca e radhës u caktua për 16 janar në orën 09:30.




