Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë dërguar tre të akuzuarit për sulmin terrorist serb në Banjskë të Zveçanit të 24 shtatorit 2023, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq. Ata u paraqitën në sallën e gjyqit nën masa të rrepta sigurie dhe me pranga në duar. Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën dhe u rrezikuan edhe zyrtarë të tjerë policorë dhe civilë.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë më 11 shtator 2024 ndaj Milan Radoiçiqit dhe 44 të akuzuarve të tjerë, duke i ngarkuar për terrorizëm, veprime të rënda kundër rendit kushtetues, financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash. Sipas aktakuzës, grupi i udhëhequr nga Radoiçiq kishte hyrë ilegalisht nga Serbia në Kosovë me armatim të rëndë dhe pajisje ushtarake, me qëllim shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin e tij me Serbinë.
Radoiçiq akuzohet gjithashtu për financimin e grupit terrorist dhe për shpëlarje parash përmes bizneseve dhe personave të tretë, përfshirë kompaninë “RAD D.O.O.”. Aktualisht, tre të akuzuarit e përmendur ndodhen në paraburgim, ndërsa Radoiçiq e ka marrë publikisht përgjegjësinë për sulmin terrorist.




