Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi në Malishevë ka kritikuar qeverinë, duke theksuar se Kosova nuk ka luksin të humbasë më kohë për shkak të mosformimit të qeverisë dhe krizës institucionale që, sipas tij, ka zgjatur për më shumë se 10 muaj.
Abdixhiku tha se vendi po përballet me pasoja të një viti të humbur dhe katër vitesh keqqeverisjeje, ndërsa shpresa e qytetarëve është vënë seriozisht në provë. Ai theksoi se LDK forcën dhe mbështetjen e saj e gjen pikërisht në Malishevë.

Duke komentuar publikimin e komunikimeve të fundit, Abdixhiku deklaroi se shteti është trajtuar si pronë e ngushtë e një rrethi politik përmes komunikimeve në WhatsApp, gjë që, sipas tij, përbën jo vetëm krizë juridike, por edhe krizë të thellë besimi.
Ai theksoi se kur thyhet besimi mes qytetarit dhe shtetit, cenohet vetë themeli i Republikës së Kosovës, duke bërë thirrje për riparimin e këtij besimi dhe për unitet, pa ndarje mes qytetarëve. Abdixhiku nënvizoi se Kosova është e përbashkët për të gjithë dhe se vetëm përmes bashkimit mund të tejkalohet kriza aktuale.





