Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës ka nisur një analizë të detajuar të çmimeve të 21 artikujve të shportës bazë të konsumatorit, pas ankesave të shumta për rritjen e çmimeve të produkteve esenciale.
Inspektori hetues Egzon Berisha ka bërë të ditur se po zhvillohet monitorim i drejtpërdrejtë në rrjetet e supermarketeve, me fokus produkte si vajrat ushqimore, buka, mielli dhe detergjentët. Sipas të dhënave paraprake, shporta bazë ka shënuar rritje prej 5.5% në periudhën nëntor 2024 – nëntor 2025.
Berisha theksoi se aktualisht asnjë rrjet tregtar nuk ka pozitë dominuese në treg, ndërsa rritja e çmimeve, përfshirë edhe ato të produkteve vendore, lidhet kryesisht me rritjen e kostove të punës dhe energjisë elektrike.




