Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se përgjegjësia për periudhën 900-ditore nën masa nuk është mbajtur nga askush.
Në një postim në Facebook, Bajrami ka shkruar se gjatë kësaj periudhe vendi humbi mundësinë për të shfrytëzuar mbi 600 milionë euro për projekte të ndryshme, përveç kostos së paparashikueshme për imazhin e Kosovës.
Ajo ka përmendur pesë projekte kryesore në fushat e ujit të pijshëm, trajtimit të ujërave të zeza, riciklimit të mbeturinave dhe bujqësisë, të cilat nuk janë realizuar gjatë viteve 2023-2025, me një financim të parashikuar rreth 293 milionë euro.
Bajrami i ka quajtur ata që lavdërohen për heqjen e masave si “mashtrues”, duke theksuar mungesën e përgjegjësisë për humbjet dhe vonesat e shkaktuara.





