Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka quajtur “komplet ilegale” ndërhyrjet e Dejonës Mihali, e cila sipas saj, pa asnjë legjitimitet demokratik, po ushtron kontroll të gjerë në institucionet shtetërore.
Duke komentuar publikimin e bisedave në WhatsApp, ku Mihali del të ketë rol kyç në emërimin e Faruk Mujkës si kryeshef i Ndërmarrjes Ibër-Lepenc, Bajrami tha se kjo përbën shkelje të rëndë kushtetuese dhe ligjore.
Ajo kërkoi nga Prokuroria Speciale që të ndërmarrë masa, ashtu si edhe në rastin e Nagip Krasniqit, për të zbardhur përgjegjësitë dhe mënyrën e ushtrimit të pushtetit. Bajrami theksoi se zyrtarët e partive politike nuk kanë rol në ekzekutiv apo legjislativ dhe nuk duhet të ndikojnë në vendimmarrjen institucionale.




