Kosova është përfshirë për herë të parë në raportet e Open Source Observatory (OSOR) të Komisionit Evropian, të cilat analizojnë politikat dhe praktikat e përdorimit të softuerit me burim të hapur (OSS) në vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.
Në mbështetje të këtij procesi ka kontribuar anëtari i Bordit të Wikimedianëve të Gjuhës Shqipe, Arianit Dobroshi, i cili ka vlerësuar rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në një platformë ndërkombëtare që pasqyron përparimet në transformimin dixhital dhe përdorimin e burimit të hapur.
Raporti i parë i OSOR për Kosovën evidenton zhvillime pozitive, përfshirë mbulimin e lartë të internetit edhe në zonat rurale, si dhe dixhitalizimin e disa shërbimeve publike përmes platformës e-Kosova. Po ashtu, theksohet se Strategjia Dixhitale 2030 parasheh përdorimin e softuerit me burim të hapur për projektet e IT-së të financuara nga taksapaguesit.
Megjithëse mbështetja politike për OSS mbetet e kufizuar, raporti vlerëson aktivitetin e komunitetit të burimit të hapur në Kosovë, veçanërisht përmes organizatës FLOSSK, e cila vazhdon të organizojë ngjarje, të menaxhojë projekte dhe të kontribuojë në politikat publike.
Raporti i OSOR për Kosovën është pjesë e një serie më të gjerë që trajton transformimin dixhital dhe adoptimin e burimit të hapur në vendet e Ballkanit Perëndimor, me synim afrimin me standardet dhe kornizat evropiane në teknologji dhe inovacion dixhital.




