Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur kundërshtim të fuqishëm ndaj vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vendosjen e marzhave maksimale tregtare për produktet e naftës.
Sipas Odës, ky vendim cenon parimet kushtetuese të ekonomisë së tregut të lirë, konkurrencës dhe sigurisë juridike, pasi çmimet e karburanteve nuk janë të rregulluara me ligj.
Oda thekson gjithashtu se vendimi është marrë nga një qeveri në detyrë me kompetenca të kufizuara, duke iu referuar edhe një aktgjykimi të Gjykatës Supreme.
Ajo paralajmëron se kufizimet administrative rrezikojnë të çrregullojnë tregun dhe sigurinë e furnizimit, duke i bërë thirrje ministrisë që ta shfuqizojë menjëherë vendimin dhe të adresojë shqetësimet përmes dialogut dhe mekanizmave të konkurrencës së lirë.




