Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka përshëndetur heqjen e masave ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si një hap pozitiv për vendin dhe ekonominë. Kryetari i OEK-së, Lulzim Rafuna, njëherësh kryetar i Odave të Ballkanit Perëndimor, tha se ky vendim vjen në një moment të rëndësishëm, pasi për shkak të masave ndëshkuese janë vonuar projekte të shumta dhe janë pezulluar mjete të konsiderueshme financiare.
Megjithatë, Rafuna ka shprehur shqetësimin se Kosova po mbetet prapa në zbatimin e Planit të Rritjes, për shkak të mungesës së institucioneve funksionale, moskonstituimit të Kuvendit dhe mosratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Sipas tij, Kosova ndodhet ende në pikën zero sa i përket parafinancimit prej 63 milionë eurosh, ndërsa rrezikon të humbasë edhe këstet e tjera të planifikuara.
Ai u bëri thirrje partive politike që pas zgjedhjeve të konstituojnë sa më shpejt Kuvendin dhe të ratifikojnë marrëveshjet e nevojshme, duke paralajmëruar se vonesat mund të sjellin humbjen e fondeve të Planit të Rritjes, të cilat mund t’u shpërndahen vendeve të tjera të rajonit.
Sipas Rafunës, shuma totale që i takon Kosovës nga Plani i Rritjes është rreth 880 milionë euro, ndërsa faza më kritike e vlerësimit pritet në qershor. Ai theksoi se ky plan synon integrimin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët rajonal, qasjen në tregun e BE-së me mbi 500 milionë konsumatorë dhe dyfishimin e rritjes ekonomike, përmes reformave në administratë publike, sektorin privat dhe progresit në dialogun Kosovë–Serbi.




