Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) do të dërgojë një delegacion gjashtëanëtarësh në Kosovë për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.
Delegacioni do të qëndrojë në Kosovë nga 27 deri më 29 dhjetor dhe do të udhëhiqet nga Yunus Emre (Turqi, SOC). Gjatë vizitës, anëtarët e delegacionit do të takojnë përfaqësues të partive kryesore politike, përfshirë ato të komuniteteve jo-shumicë, si dhe kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetarin e Panelit për Ankesa dhe Parashtresa Zgjedhore, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, organizata joqeveritare dhe media.
Delegacioni do të vëzhgojë procesin e votimit ditën e zgjedhjeve, më 28 dhjetor, ndërsa gjatë vizitës do të ketë edhe mbështetje ligjore nga një ekspert i Komisionit të Venecias, organ këshillëdhënës ligjor i Këshillit të Evropës.
Një konferencë për media lidhur me vëzhgimin e zgjedhjeve është planifikuar të mbahet të hënën, më 29 dhjetor, në orën 14:00.




