Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, ka realizuar një operacion të përbashkët lidhur me hetimet për kidnapimin e Milan Vukashinoviq më 1 nëntor. Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar V.M., ish-pjesëtar i MUP-it të Serbisë, i cili më vonë kishte shërbyer në Policinë e Kosovës dhe më pas kishte dhënë dorëheqje.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se për personin e arrestuar ekzistojnë dyshime se ai ka bashkëpunuar dhe mbështetur strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe rastin e kidnapimit të Vukashinoviq, i cili u plagos rëndë dhe aktualisht po trajtohet në një spital në Serbi.
Sveçla shtoi se V.M. dyshohet për kontakte me strukturat e inteligjencës dhe ushtrisë së Serbisë, përgatitje të të rinjve serbë për trajnime dhe dijeni mbi sulmin terrorist në Banjskë. Ministri theksoi se askush në Kosovë nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë dhe se institucionet kanë kapacitet për të adresuar çdo kërcënim dhe krim.




