Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili gjatë një tubimi në Ferizaj ka thënë se do t’i “bëjmë tokë të zezë” partitë e tjera.
Përmes një postimi publik, Bajrami ka kritikuar gjuhën e përdorur nga Konjufca, duke theksuar se ai nuk mund t’i mposhtë partitë e tjera me kërcënime, e as të tërheqë vëmendjen nga, siç i quajti ajo, skandalet e WhatsApp-it.
Ajo ka kujtuar se Konjufca disa ditë më parë kishte deklaruar se kishte reflektuar, ndërsa tani po përdor një fjalor të papranueshëm politik. Sipas Bajramit, atyre që dikush synon t’i “bëjë tokë të zezë”, nuk u dërgohen letra për bashkëpunim.
Në fund të reagimit të saj, Bajrami ka theksuar se nuk i uron Lëvizjes Vetëvendosje të përfundojë si “tokë e zezë”, duke shtuar se pas 28 dhjetorit, sipas saj, ajo do të jetë në opozitë, ndërsa opozita është e nevojshme për qeverinë dhe për vendin.




