Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili është gjithashtu kandidat për deputet nga radhët e LVV-së, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se Autostrada e Gjilanit do të përfundojë brenda një viti pas nënshkrimit të kontratave të reja.
Në videon e ndarë, Durmishi shihet së bashku me kryetarin e Gjilanit, Alban Hysenin. Ai bëri me dije se katër kontrata për katër segmente të Autostradës Prishtinë-Gjilan janë shkëputur, duke shtuar se realizimi i tyre do të përfundojë brenda një viti nga momenti i nënshkrimit.
Autostrada e Gjilanit ishte një nga premtimet e LVV-së dhe të kryeministrit Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, por deri më tani nuk është përfunduar.




