Mediat dhe analistët serbë kanë reaguar me shqetësim ndaj blerjes së sistemeve amerikane të artilerisë dhe investimeve të Kosovës në mbrojtje dhe armatim. Marrëveshja e nënshkruar me kompaninë amerikane AM General për automjetet HUMVEE Hawkeye 105 mm, së bashku me planet për blerjen e helikopterëve Black Hawk, raketave Javelin dhe ndërtimin e fabrikave për municion dhe dronë, është paraqitur si kërcënim për sigurinë rajonale.
Autoritetet e Prishtinës kanë investuar mbi 430 milionë euro në katër vitet e fundit dhe planifikojnë rreth 1 miliard euro për katër vitet e ardhshme.
Mediat serbe pro-qeveritare kanë përdorur tone alarmiste për të përhapur narrativën e “militarizimit” të Kosovës, pavarësisht se këto investime janë pjesë e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë moderne dhe profesionale, në përputhje me standardet euroatlantike.




