Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë periudhës janar-nëntor 2025, mbi 13 mijë shoferëve iu është ndaluar drejtimi i mjetit për shkelje të rregullave të trafikut, ndërsa janë shqiptuar gjithsej 55,809 tiketa me pikë negative. Krahasuar me vitin 2024, kur u ndaluan 11,933 shoferë dhe u shqiptuan 50,887 tiketa, numri i masave ndëshkuese ka shënuar rritje.
Eksperti i komunikacionit Faton Bunjaku thekson se këto shifra nuk paraqesin një pasqyrë pozitive për Kosovën dhe se shteti duhet të fokusojë më shumë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe sinjalizimin e trafikut, duke e konsideruar konfiskimin e patentës si masë të diskutueshme.
Nga ana tjetër, eksperti Bekim Ahmeti e sheh pozitivisht rritjen e numrit të konfiskimeve, duke u shprehur se kjo mund të ndikojë në vetëdijesimin e qytetarëve për respektimin e rregullave të trafikut.
Sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, arsyet për konfiskimin e patentës përfshijnë tejkalimin e shpejtësisë mbi 50% të limitit të lejuar, mosrespektimin e semaforit, kalimin në semaforin e kuq dhe tejkalimin në vijën e plotë.




