Rrjeti është ndarë në dysh pasi Federata e Basketbollit e Kosovës e shpalli Dardan Berishën basketbollist të vitit. Një pjesë e opinionit e konsideron meritor pejanin, ndërsa të tjerë mendojnë se ky çmim për sivjet i takonte Drilon Hajrizit.
Hajrizi reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e quajtur vendimin e FBK-së fyes dhe injorues ndaj punës dhe rezultateve të tij. Ai theksoi se do të vazhdojë të luftojë për Kosovën, Mitrovicën dhe Trepçën, duke shtuar se vitin e kaluar ishte më i miri në Superligë.
Në anën tjetër, Dardan Berisha nuk u përfshi në debat, por përmes një postimi falënderoi familjen, Federatën, Pejën dhe tifozët, duke u shprehur i lumtur që edhe pas 21 vitesh karrierë vazhdon të jetë inspirim për gjeneratat e reja.
Debate të shumta janë zhvilluar edhe në grupin “Merakli t’Basketit”, ku mbështetësit e Hajrizit theksojnë epërsinë e tij statistikore, ndërsa të tjerë, përfshirë gazetarin Kushtrim Reshitaj, vlerësojnë Berishën si basketbollistin më të mirë në historinë e Kosovës.




