Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, është shpallur futbollisti më i mirë i vitit 2025 nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
Mbrojtësi kosovar pati një tjetër sezon të jashtëzakonshëm me Napolin, duke ndihmuar skuadrën italiane ta fitojë titullin kampion në Serie A, i dyti në tri vitet e fundit. Përformancat e tij të shkëlqyera u kurorëzuan edhe me përfshirjen në formacionin më të mirë të kampionatit italian.
Çmimi iu nda Rrahmanit në ceremoninë “Laureatët e Vitit”, megjithatë ai nuk ishte i pranishëm për shkak të angazhimit me Napolin, pasi do të luajë në finalen e Superkupës së Italisë ndaj Bolognas.
Ndërkohë, sulmuesi i Ballkanit, Valentin Serebe, u shpall golashënuesi më i mirë i vitit, ndërsa çmimi iu dorëzua nga ish-lojtari i “Xhebrailave”, Albion Rrahmani.
Amir Rrahmani theksoi se ky vlerësim ka një rëndësi të veçantë për të, pasi e ka fituar për të dytin vit radhazi, duke e konsideruar si shpërblim për punën dhe përkushtimin e vazhdueshëm në fushë.




