Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka vlerësuar si të drejtë vendimin e Gjykatës Supreme që shpalli të paligjshëm udhëzimin administrativ që obligonte pensionistët të paraqiteshin personalisht për të dëshmuar se janë gjallë, por ka theksuar se sistemi pensional në Kosovë ka nevojë urgjente për reforma.
Qelaj tha se aktet nënligjore nuk duhet të tejkalojnë ligjin dhe se praktika të tilla cenojnë parimin e ligjshmërisë dhe të drejtat e fituara të qytetarëve. Ai theksoi se pensionistët janë një nga kategoritë më të diskriminuara në shoqëri, përballë barrierave administrative, mungesës së shërbimeve shëndetësore dhe mbështetjes sociale.
Ai kërkoi rishikim të plotë të sistemit pensional, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në ofrimin e shërbimeve për një jetë më të dinjitetshme për personat mbi 65 vjeç.




