Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë ditës së diel zhvilloi vizita tek familjet e dëshmorëve në Kaçanik dhe Shtime, duke nderuar sakrificën e tyre për lirinë e vendit.
Fillimisht, Kurti vizitoi familjen e ish-kryetarit të Kaçanikut, Tahir Çaka. Ai theksoi se familja Çaka ka dhënë kontribut të madh për atdheun, me dy dëshmorë dhe prindërit martirë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës, duke e cilësuar këtë familje si simbol të përkushtimit dhe rezistencës së Kaçanikut.
Më pas, Kurti qëndroi në Shtime, ku vizitoi familjen e luftëtarit të UÇK-së, Hasan Metushi. Ai kujtoi fatin tragjik të kësaj familjeje, duke përmendur nënën e zhdukur që nga janari i vitit 1999 dhe vrasjen e babait dhe dy axhallarëve në masakrën e Reçakut.
Kurti nderoi gjithashtu dëshmorët dhe martirët e tjerë të familjes Metushi dhe shprehu respekt për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.




