Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur në podkastin “Flasim” për vizitën e tij në Hagë dhe takimin me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Rama ka deklaruar se procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së buron nga një “farsë” e nisur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe e vazhduar në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai tha se e ka gjetur Hashim Thaçin në gjendje të mirë shpirtërore, të qetë dhe të buzëqeshur, duke e cilësuar këtë si qëndrim të një njeriu të pafajshëm me karakter të fortë. Sipas Ramës, i mungojnë fjalët për të përshkruar atë që e quajti një padrejtësi të rëndë në zemër të Europës demokratike.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se kjo situatë nuk është padrejtësi vetëm ndaj disa individëve, por ndaj gjithë popullit të Kosovës, i cili luftoi për lirinë e tij. Ai përmendi rolin vendimtar të ish-drejtuesve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, si në çlirimin e Kosovës ashtu edhe në heqjen e një “njolle historike” për Europën.
Në fund, Rama shprehu mbështetje për ish-krerët e UÇK-së që ndodhen prej më shumë se pesë vitesh në paraburgim në Hagë, duke i cilësuar si pengje të një padrejtësie dhe duke shprehur shpresën që viti i ri të sjellë fundin e këtij procesi.




