Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut më 22 dhe 23 dhjetor. Ajo do të pritet në Shkup nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministri Hristijan Mickoski, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi dhe ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski.
Gjatë vizitës, Spiropali do të theksojë forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe rajonale, si dhe mbështetjen e Shqipërisë për integrimin europian të Maqedonisë së Veriut. Në fokus do të jetë edhe projekti strategjik i Korridorit VIII.
Ministrja do të zhvillojë takime me përfaqësues të spektrit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, do të vizitojë Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup dhe do ta përmbyllë vizitën me një bashkëbisedim në Universitetin e Tetovës.




